Fillimi | Lajme | Maqedoni | Zaev: Qeveri deri në fund të muajit, jam i gatshëm për takim me Ivanovin

Zaev: Qeveri deri në fund të muajit, jam i gatshëm për takim me Ivanovin

image

Lideri i LSDM-së Zoran Zaev sot deklaroi se pret që, nëse presidenti i vendit Gjorge Ivanov i jep mandatin, deri në fund të muajit të formojë qeveri të re. Zaev shprehu gatishmëri për takim me Ivanovin së bashku me partnerët e koalicionit në të cilin, siç deklaroi edhe një herë do ta garantojë karakterin unitar të vendit.

Letra me të cilën Ivanovi është informuar se është formuar shumicë parlamentare dhe se është zgjedhur kryetar i Kuvendit ishte dërguar dje, ndërsa dhjetë ditë për dhënien e mandatit, siç tha Zaev numërohen nga momenti  kur kjo është evidentuar në arkivin e presidenti të shtetit.

“Përveç vendimit nga aspekti juridik prej dhjetë ditëve unë jam i gatshëm që ta vizitoj zotin Ivanov. Do të flasim me partnerët e koalicionit dhe liderët që të shkojmë së bashku dhe edhe një herë të garantojmë karakterin unitar, kushtetueshmërinë, multietnitetin, perspektivën e NATO-s dhe BE-së të vendit. Edhe një herë ta garantojmë dhe të konfirmojnë gjithçka  në funksion që sa më shpejt ta japë mandatin. Edhe nga ana jonë  të mos i shfrytëzojmë njëzet ditët dhe të dalim para parlamentit me propozimin e qeverisë së re”, tha lideri i LSDM-së.

Sipas tij, ekzistojnë mundësi që deri në fund të muajit të zgjidhet qeveria e re, por kjo varet nga vendimi i Ivanovit për të dhënë mandatin, si dhe nga funksionimi teknik i Parlamentit.

I pyetur për vendosjen e flamurit shqiptar, përkundër atij të Maqedonisë dhe të BE-së në tryezën e punës të kryetarit të Kuvendit, Zaev tha se ligjet në Maqedoni janë të qarta dhe se ato duhet që të respektohen dhe se ai që ka bërë gabim duhet që ta korrigjojë atë.

“Dëshiroj që të respektohen ligjet dhe Kushtetuta e Republikës së Maqedonisë pa dallim nëse shkelja e ligjit vjen nga partneri ynë i koalicionit apo jo. Secili duhet që të ketë përgjegjësi politike dhe ligjore. Ligjet në Maqedoni janë të qarta dhe ato duhet që të respektohen. Nëse ka ndodhur një gabim i caktuar ai që e ka bërë, shpresoj se, do ta korrigjojë. Duhet të dërgojmë mesazh përfundimtar se Kushtetuta dhe ligjet nuk mundet më tepër të shkelen dhe kjo të tregohet si akt patriotik, pa dallim nëse kjo bëhet nga maqedonas, shqiptarë, turq, serbë… Duhet të kujdesemi të gjithë për këtë”, deklaroi Zaev.

Deputetët e LSDM-së, sipas informacioneve të liderit të partisë, ende nuk janë thirrur nga prokuroria lidhur me dhunën në Kuvend. “Është shumë e rëndësishme që institucionet të bëjnë njohjen e duhur të situatës dhe të mos ndodhë që të përgjigjet dikush që nuk duhet. Nuk dua të ndikoj në hetim dhe në atë që vijon si proces”, tha Zaev  i cili shpreson e institucionet do të veprojnë në mënyrë që të mos duhet të parashtrohen ankimime.

Për drejtorin e Byrosë për Siguri Publike, Mitoko Çavkos  për të cilin është kërkuar shkarkim në Qeveri, Zaev tha se  duhet menjëherë vetë të japë dorëheqje.

“Nuk e di pse pret që dikush të propozojë shkarkimin e tij. Përgjegjësia është direkte. Duhet që të japë dorëheqje dhe të largohet menjëherë”, tha lideri i LSDM-së.

Zaev deklaratën e dha pas takimit me përfaqësues të lartë të OSBE-së nga Misioni për parandalimin e çfarëdo lloj  krize dhe rreziku.

“Mbajtëm takim me ta dhe i dhamë të gjitha pikëpamjet tona rreth pritjes për ngjarjet në periudhën që na pret si mësim apo konkluzion të nxjerrë nga ajo që tashmë ndodh në Maqedoni. Konfirmuam  kërkesë zyrtare nga ne që të inkuadrohet OSBE-ja dhe të ndihmojnë të gjitha proceset e ardhshme, ndërsa janë në funksion që të përshpejtohen proceset e stabilizimit dhe normalizimit të vendit tonë”, tha lideri i LSDM-së.

Shtoni në: Add to Facebook Facebook | Digg this story Digg | Post to Myspace Myspace |
  • email Email mikut
  • print Verzioni print
  • Plain text Tekst i thjeshtë
Votoni këtë tekst
0