Selanik, dyshja e DSK-së do deklarojnë para Komitetit për azil

Ish-shefi i DSK-së Goran Grujevski dhe kolegu i tij Nikolla Boshkovski, sot para Komitetit për azil në Selanik do t’i tregojnë arsyet për të cilat e kërkojnë azilin në Greqi.

Paraprakisht, marrja e tyre e parë në pyetje në Komitet u shty sepse ka pasur problem me sigurimin e përkthyesit në gjuhën maqedonase.

Grujevski dhe Boshkovski kërkesë për marrje të azilit politik në Greqi parashtruan më 29 nëntor të vitit të kaluar. Kjo lëvizje ishte pritur duke e pasur parasysh atë se në raste të tilla, që të prolongohet ekstradimi, hapi i ardhshëm është kërkesa e azilit.

Me parashtrimin e kërkesës për azil politik ndërkaq, u hap proces i ri paralel dhe shtesë. Grujevski dhe Boshkovski, në Greqi, tani më kanë tre procese të ndryshme dhe të ndërsjella të palidhura, njëri për ekstradimin pas urdhër-arrestit ndërkombëtar nga pala e Maqedonisë, i dyti për falsifikimin e pasaportave me të cilat janë kapur në aeroportin e Selanikut dhe i treti për kërkesën për azil.