Takimi Zaev-Markoviç: Në fokus linja ajrore Shkup-Podgoricë-Sarajevë

Kryeministri i Republikës së Maqedonisë, Zoran Zaev, sot në Sofje është takuar me kryeministrin e Republikës së Malit të Zi, Dushko Markoviç, transmeton Anadolu Agency (AA).

Siç njoftuan nga Qeveria, të dy kryeministrat në takim bashkarisht konstatuan se bashkëpunimi rajonal zhvillohet në mënyrë efektive, në interes të nevojave të qytetarëve dhe të interesave euroatlantike të rajonit.

Gjatë bisedës është konstatuar se bashkëpunimi mes bashkësive biznesore të të dyja vendeve është i mirë dhe pritet avancimi i bashkëpunimit biznesor mes dy shteteve.

Në këtë drejtim u theksua se me rëndësi të madhe është sigurimi i linjës ajrore Shkup-Podgoricë-Sarajevë, për të cilën u ndanë informacionet më të reja për realizimin e kësaj nisme.

Në takimin në Sofje u bisedua edhe për realizimin e projekteve nga sfera e shëndetësisë, në interes të qytetarëve të të dyja vendeve.

Të dy kryeministrat, Zaev dhe Markoviç shkëmbyen mendime për çështjet e rëndësishme politike në pjesën e avancimit drejt BE-së si dhe NATO-s të intergrimit të Republikës së Maqedonisë, thonë nga Qeveria.

“Është rritur interesimi për investime në Maqedoni pas inicimit të proceseve reformuese në shtet dhe perspektivat e hapura të Maqedonisë për NATO dhe BE”, tha kryeministri Zaev.

Po ashtu, kryeministrat Zaev dhe Markoviç u pajtuan për implementimin e rekomandimeve evropiane për zhvillimin politik dhe ekonomik të rajonit.

Kryeministri Zaev ndodhet për vizitë një ditore në Sofje për darkën punuese që kryeministri i Republikës së Bullgarisë, vend kryesues me BE-në, Bojko Borisov e organizon për Presidentin e Komisionit Evropian (KE), Jean-Claude Juncker dhe liderët e Ballkanit Perëndimor.

Në takimin në Sofje do të marrin pjesë edhe Eurokomisari Johannes Hahn dhe Përfaqësuesja e Lartë për Politikë të Jashtme dhe Sigurisë e BE-së, Federica Mogherini.