Zvarritet hapja e kufirit Bellanocë-Stançic

Hapja e vendkalimit kufitar Bellanoc-Stançiç mbetet ende ëndërr, edhe pse marrëveshja për rë daton që nga viti 2011. Deri më sot, Qeveria nuk ka bërë thuajse asgjë për përfundimin e procedurës për shpronësimin e tokës dhe dhënien e lejes për ndërtim të vendkalimit kufitar, njofton Alsat M.

Nga Qeveria arsyetohen duke thënë se vonesa e procedurave në fjalë, vjen për shkak të zbatimit të procedurave ligjore të dy shteteve Maqedoni e Kosovë, të cilat janë bashkëpjesëmarrëse në këtë projekt.

Nga ana tjetër, Qeveria edhe në fillim të muajit korrik kishte marrë vendim që deri në fund të të njëjtit muaj, të kishte përfunduar hartimi i projektit arkitektoniko-urbanistik për objektin që duhej ndërtuar në këtë pikë. Mirëpo edhe ky afat kaloi dhe vendi ku duhet shënuar pika kufitare nuk të bën përshtypje se po përgatitet për punime ndërtimore. ALSAT mëson se 15 gushti ishte afati përfundimtar i përdorimit të fondeve IPA për këtë pikë kalimi kufitar të përbashkët. Sipas procedurave, tenderi për të do të duhej të ishte përfunduar në korrik, për t’i hapur rrugën kështu thithjes së rreth 1.2 milion eurove për këtë projekt. Fakti që këto para ishin nga fondet IPA, e konfirmonte edhe ish zëvendëskryeministri Arbër Ademi, gjatë muajit prill.