Haradinaj: Po t’i kishim votat, sot do ta thirrnim seancën për demarkacionin

Meqenëse deklaruan se do të jetë seanca për demarkacionin, ende nuk dihet se a do të mbahet gjatë javës apo jo.

E kjo pasi që partitë në koalicion pohojnë se ende nuk kanë siguruar votat për votimin e demarkacionit.

Kryeministri i vendit Ramush Haradinaj thotë se janë në diskutim për datën e mbajtjes së seancës e cila mund të mbahet këtë javë apo në fillim të javës tjetër.

Por thotë se ende nuk i kanë siguruar votat për demarkacionin, se po t’i siguronin ato, do ta thërrisnin menjëherë seancën.

“Jemi në diskutim për datën. Pra për ditën e seancës dhe në diskutime të brendshme, me u bashku votat, se janë dy të tretat. Se nuk është një proces i lehtë. Besoj që jemi në ato përgatitjet finale. Mund të ndodh në fund të kësaj jave. Eventualisht në fillim të javës tjetër. Por nuk do të shtyhet më shumë. Jemi në komunikim dhe me Listën Serbe dhe me deputetët tjerë të partive politike shqiptare, me komunitetet por ende nuk është definitive. Sikur t’i kishim sot të garantuara 2/3, sot do ta thirrshim seancën”, ka thënë Haradinaj.

Gjithsesi, Haradinaj nuk ka folur për ndonjë kusht të mundshëm të Listës Serbe në këmbim të votës për demarkacionin. Por pohon se janë në diskutim me ta, por ende s’kanë dakordim për votë.

Edhe deputetja e PDK-së Blerta Deliu-Kodra , thotë se do të ishte shumë e rëndësishme që çështja e demarkacionit të përmbyllej këtë javë, por ende nuk ka një qartësi rreth mbajtjes së seancës.

Deliu shpreson që ky proces do të përmbyllet shpejtë, ndryshe thotë se rrezikojnë t’i humbin afatet kohore.

E deputeti i Nismës, Bilall Sherifi thotë se ende nuk di asgjë, rreth mbajtjes së seancës për demarkacionin dhe as për kërkesat e listës.