Ligji i gjuhëve, një javë afat për marrëveshje politike

Pa marrëveshje politike dhe me prolongimin e tanipërtanishëm zyrtar njëjavor të zgjidhjes për problemin me mbi 35.000 amendamentet për Ligjin për përdorimin e gjuhëve përfundoi tentimi i djeshëm tërë ditor për evitimin e bllokimit të Parlamentit.

Kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi mbrëmë tentoi të sqarojë përse dje nuk erdhi deri te zgjidhja për amendamentet për Ligjin për gjuhët, me të cilin avancohet përdorimi i gjuhës shqipe.

Xhaferi tha se nuk ka pasur vota të mjaftueshme për të vazhduar procedura sepse disa nga deputetët e LSDM-së u deklaruan se nuk do ta votojnë ligjin.

Xhaferi në emisionin “200” në TV Alsat tha se është i gatshëm të caktojë edhe një mbledhje në të cilën drejtpërdrejtë do të votohet për miratimin e Ligjit për përdorimin e gjuhëve, pa u pranuar, me atë rast, shqyrtimi i 35 mijë amendamenteve të cilat VMRO-DPMNE-ja opozitare i parashtroi. Sipas Xhaferit, VMRO-DPMNE do të ketë të drejtë për vërejtje procedurale. Paralajmëroi se Kuvendi nuk guxon të jetë peng për askë.

“Unë kur nuk jam i sigurt që unë nuk e kam shumicën parlamentare për votim edhe përskaj prezencës së duhur brenda Parlamentit, unë jam i detyruar që të informoj subjektet politike se diçka nuk funksionon. Brenda shumicës së LSDM-së ka pasur rezerva në disa pjesë edhe pse jo të proklamuara si rezervë, dhe nga informatat që unë sigurova, konstatuam se ka problem me aktin e votimit. Mbas rregullave për faktin që është votim i dytë duhet të siguroj minimum 61 votë për ligjin, dhe unë rezultoja që nuk më dalin këto numra. Meqë Zoran Zaev ishte në seancë gjyqësore dhe nuk mundesha të komunikoj me kreun e shumicës, që të jetë i informuar për faktin se unë nuk mundem të kryej aktin që duheshte të bëhej. Nga informimi që mora nga atje mu konfirmua se ka problem brenda grupit parlamentar lidhur me qëndrimin e tyre për votim”, ka thënë Xhaferi, transmeton Medial.mk.

Ai me këtë rast dha kohë një javë partive politike të gjejnë zgjidhje, sepse mundësitë të cilat i ka pasur ai si kryetar janë shterur.

Edhe krahas mospajtimeve lidhur me vendimin për mbi 35.000 amendamente, sipas Xhaferit koalicioni në pushtet nuk është i rrezikuar dhe do të vazhdojnë të gjitha proceset të cilat shumica parlamentare i ka në Kuvend, ndërkaq nga të cilat varet edhe funksionimi dhe mbështetja për vetë Qeverinë e kryeministrit Zaev.

Nga VMRO-DPMNE-ja opozitare dje theksuan se është kërkuar t’i tërheqin amendamentet, gjë që ata refuzuan, se problemi për mos fillimin e mbledhjes u krijua mes BDI-së dhe LSDM-së.

Deputetët e LSDM-së, ndërkaq, theksuan se dëshirojnë zgjidhje e cila do të brenda Rregullores, përkatësisht të hapet debat për amendamentet, e jo ashtu siç propozuan nga BDI.